IDENTIFIKOHU

“Nepunesit Civil” ne kuptim te ketij ligji jane ata nepunes te institucioneve te administrates publike te nivelit qendror apo vendor, te cilet ushtrojne autoritetin publik, ne detyra te natyres drejtuese, organizuese, mbikqyrese apo ekzekutuese, percaktuar sipas nenit 11 te ligjit te Statusit te Nepunesit Civil

Hyr Trajnime Pyetje per Trajnim Regjistrohuni
Regjistrohu/Profil  
Albanian English

Arritjet e deritanishme të reformës në Administratën Publike janë diskutuar sot paradite në seminarin me temë “Roli i drejtuesve të lartë në Administratën Publike Shqiptare”, organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i binjakëzimit, “Mbështetje për reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”, financuar nga BE.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito,  Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström, ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi, sekretarja e parë e ambasadës italiane, Raffaella Campanati si dhe sekretarët e përgjithshëm të të gjitha ministrive.

Ministrja Harito ka bërë një ekspoze të gjithë hapave të deritanishëm të reformës së Administratës Publike. “Kemi krijuar sistemin më transparent, që përmbledh aplikimin, konkurrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, duke ju dhënë mundësinë të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurse, por edhe më gjerë ta kontrollojë dhe verifikojnë të gjithë procesin. Dhe çelësi është këtu. Asnjë sistem nuk mund të jetë perfekt, por çdo system perfeksionohet nëse është i kontrollueshëm”, është shprehur ministrja Harito.

Më tej ministrja është ndalur në prezantimin e sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzorë (HRMIS). Puna për këtë sistem, mbështetur nga fonde të Bankës Botërore dhe IPA  2008 deri 2011, kishte nisur qysh në vitin 2005. Por me gjithë këto projekte e investime, deri në fund të vitit 2013 sistemi i HRMIS kishte të dhëna vetëm për 4 ministri.

Aktualisht ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjesve si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjensitë në varësi të ministrive.  

Një nga risitë më të rëndësishme të sistemit HRMIS është llogaritja e pagave për punonjësit e administratës publike në mënyrë automatike. Sistemi do të gjenerojë  në mënyrë  elektronike  listën e pagesave të punonjësve të institucioneve. Kjo do të realizohet me anë të ndërveprimit të sistemit HRMIS me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Aktualisht sistemi HRMIS ndërvepron me bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në baze të numrit të identifikimit të punonjësit. Pjesë e sistemit do të jenë të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Duke marrë fjalën në këtë seminar, Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström tha se “menaxhimi është shumë i rëndësishëm për punën e përditshme, ndaj administratës i duhet të zgjedhë njerëzit më të mirë për ta kryer punën”. Sipas tij “reforma në administratë është elementi kyç për hapjen e negociatave dhe zhvillimin e konomik të vendit”.

Ndërsa ambasadori francez dhe sekretarja e parë e ambasadës Italiane e vunë theksin në mbështetjen që po japin vendet e tyre dhe shkollat respektive të Administratës Publike të Francës dhe Italisë për të sjellë përvojën më të mirë europiane në organizimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në Shërbimin Civil shqiptar.