IDENTIFIKOHU

“Nepunesit Civil” ne kuptim te ketij ligji jane ata nepunes te institucioneve te administrates publike te nivelit qendror apo vendor, te cilet ushtrojne autoritetin publik, ne detyra te natyres drejtuese, organizuese, mbikqyrese apo ekzekutuese, percaktuar sipas nenit 11 te ligjit te Statusit te Nepunesit Civil

Hyr Trajnime Pyetje per Trajnim Regjistrohuni
Regjistrohu/Profil  
Albanian English

 
RISITË DHE NDRYSHIMET E KODIT TË RI TË PROCEDURAVE ADMINISTRATIVE!
Kodi i Ri i Procedurave Administrative hyri në fuqi në Maj të këtij viti.

Për këtë arsye informimi mbi risitë dhe ndryshimet që burojnë nga ky Kod është një domosdoshmëri pasi lidhet drejtpërdrejt me proceset e punës së përditshme të institucioneve.

Me qëllim prezantimin e risive dhe ndryshimeve që sjell Kodi i Ri, DAP dhe ASPA me mbështetjen e Projektit të Binjakëzimit, nisën të organizojnë një sërë trajnimesh duke u fokusuar tek përkufizimet, parimet dhe institutet më të rëndësishme të këtij kodi.

Trajnimet drejtohen nga ekspertë të fushës (të huaj dhe shqiptar).

Datat 13-17 Qershor iu dedikuan pikërisht këtyre trajnimeve ku morën pjesë mbi 70 nëpunës civil.

Duke marrë në konsideratë rolin e rëndësishëm të këtij Kodi, sesionet e para të trajnimeve u organizuan për:

                   - Sekretarët e Përgjithshëm;

                   -Nëpunësit civil në nivel drejtues ( burimet njerëzore/shërbimet e brendshme)

                   -Drejtuesit/Nëpunësit në sektorët ligjorë;

                   -Nëpunësit në sektorët e menaxhimit të burimeve njerëzore.

Përpos prezantimit të risive dhe ndryshimeve ligjore të Kodit, trajnimi mori edhe formën e bashkëbisedimit dhe shkëmbimit të ideve në kuadër të këtyre ndryshimeve. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin me ekspertët edhe idetë e tyre mbi specifikat e Kodit.
Në Korrik vijojmë me sesionin e dytë të trajnimeve mbi Kodin!
FTESË PËR APLIKIM
Miq,

Departamenti i Administratës Publike hap procesin e aplikimit për pozicionet e lira në Njësitë e Rrjetit të Integrimit Evropian në të gjitha ministritë. Këto njësi do të shërbejnë si një ndër shtyllat kryesore për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Po kërkojmë individë të motivuar dhe të aftë për të çuar përpara procesin e antarësimit në BE duke dhënë kontributin e tyre si pjesë e rëndësishme e një skuadre profesionale.

Nëse ke dëshirë t’i bashkohesh kësaj thirrje dhe plotëson kriteret e nevojshme, apliko në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike www.dap.gov.al
Detajet mbi kriteret dhe fushat e njohurive të nevojshme për t’u përgatitur për provimin me shkrim dhe intervistën me gojë i gjeni në linkun e mëposhtëm.

Suksese!

Departamenti i Administratës Publike
 
*******************************************************************************************************

RRJETI I INTEGRIMIT EVROPIAN - SPECIALIST  SEKTORI I PROJEKTEVE IPA  
 http://www.hrm.gov.al//ShowPublications.aspx?ID=290
 

RRJETI I INTEGRIMIT EVROPIAN- SPECIALIST  SEKTORI I INTEGRIMIT EVROPIAN
 http://www.hrm.gov.al//ShowPublications.aspx?ID=291
 
  
Konferenca Kombëtare për Administratën Vendore
Reformat në Qeverisjen Vendore  dhe Administratën Publike- Mundësi të reja për Administratën Vendore
 
 Në datën 3 Maj, 2016 u zhvillua Konferenca Kombëtare për Administratën Vendore.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë të Qeverisë Shqiptare, donatorë, përfaqësues të qeverisve vendore dhe ekspertë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në lidhje me reformën e administratës publike.
Ky aktivitet shërbeu si një tryezë për diskutimin e reformave në administratën publike dhe qeverisjen vendore dhe sfidat dhe mundesitë e administratës vendore.
 
Ekspertët e KiE-s prezantuan Vlerësimin e Nevojave Kombëtare Institucionale dhe të Trajnimit (NITNA) në lidhje me qeverisjen vendore, i kryer përpara zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit 2015. Vlerësimi, i pari i këtij lloji dhe me këtë fushëveprim në Shqipëri, do të shërbejë si bazë për administratën vendore në Shqipëri për zbatimin e reformës së administratës vendore. Platforma Elektronike e Administratës Vendore (e-PAV), sistemi elektronik i bazur në web për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (MBNJ), janë projektuar për t'i shërbyer qëllimit të dokumentimit të fuqisë punëtore të administratës dhe krijimit të një inventari të mbështetur në kompetenca dhe janë ndër pikat dhe mjetet kryesore të zhvilluara dhe të realizuara me sukses nga projekti duke mbuluar të gjitha NJQV-të.
Mjetet e përmendura më sipër lidhur me instrumentet e MBNJ-së, përveç modernizimit të performancës së Burimeve Njerëzore, sigurojë gjenerim të saktë dhe në kohë reale të të dhënave për qëllime trajnimi, duke e lidhur vlerësimin e performances së shërbimit civil me aspektin e trajnimit, etj
Të gjitha diskutimet, prezantimet dhe shkëmbimet çuan drejt nevojës për të konsoliduar dhe për të formalizuar instrumentet moderne ekzistuese dhe praktikat e mira që kanë të bëjnë me Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në nivel lokal, proces i cili mbështetet fort nga projekti.

                      
 


Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë organizuar paraditen e djeshme konferencën me temë “Nëpunësi civil: Çelësi i suksesit për një administratë evropiane”.

Në konferencë merrnin pjesë Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Yngve Engstrom, përgjegjësi i Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale, Edmond Dragoti si dhe akademikë.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ka qenë ta bëjë më të prekshme mundësinë e përfshirjes në Shërbimin Civil për të rinjtë e sapodiplomuar apo edhe studentët e viteve të fundit të masterit.

Duke marrë fjalën në konferencë ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka theksuar se reforma në Administratën Publike është prioriteti numër një i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe si i tillë ka patur vëmendjen maksimale nga Qeveria.

“Vitin e kaluar ne shpallëm 1006 vende të lira në Shërbimin Civil dhe vetëm 65% prej tyre tyre u arrit të plotësoheshin. 35% e vendeve të shpallura, mbetën sërish vakante. Kjo është një provë se konkurset janë të lira dhe krejtësisht transparente. Nëse do të kishte emërime politike apo të privilegjuara, nuk do të kishte asnjë vend bosh në Shërbimin Civil. Ndaj mos u dekurajoni nga akuzat e pabaza që dëgjoni gjatë debatit të ndezur politik, por provojini vetë forcat dhe dijet tuaja, duke u bërë kështu dëshmitarët më të mirë të ndryshimit të madh që kanë pësuar procedurat e rekrutimit në Shërbimin Civil”, ka thënë ministrja Harito në fjalën e saj.

Sipas ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike edhe gjatë vitit 2016 numri i vendeve të lira në shërbimin Civil është mbi 1000 dhe rruga është e hapur për të gjithë ata që do të tregojnë aftësi dhe përgatitjen e duhur në konkurset që do të organizohen nga DAP.

Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu në fjalën e saj është ndalur në sfidat dhe risitë që ka sjellë zbatimi në praktikë i ligjit të ri “Për nëpunësin civil”. Sipas saj i gjithë procesi i rekrutimit ka pasur një ndryshim rrënjësor, çka ka dhënë edhe rezultatet e veta në drejtim të rritjes së besueshmërisë së publikut në këto procedura, tashmë plotësisht të lira dhe transparente. Znj.Koçiu u ndal edhe mbi procedurën e re të aplikimit në shërbimin civil e cila kryhet e gjitha online nëpërmjet faqes zyratare të Departamentit të Administratës Publike. Gjithashtu, në Sesionin e Dytë të Konferencës, Drejtoresha e DAP dhe përfaqësues të këtij institucioni prezantuan në detaj procedurën e aplikimit duke u ndaluar mbi të gjitha hapat e tij.

Ndërkohë në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale u zhvilluar njëkohësisht me Konferencën edhe një panair pune i një lloji të veçantë. Në këtë panair është prezantuar lista e vendeve të lira të punës në administratën publike, për të cilat nuk kërkohet të kesh eksperiencë pune, çka do të thotë se janë të mundshme për t’u arritur nga studentët e sapodiplomuar.

Në katër stenda të veçanta përfaqësuesit e Ministrisë të Arsimit, Ministrisë së Financës, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Integrimit kanë shpjeguar për të gjithë të rinjtë e interesuar profilin e vendeve të lira të punës në këto institucione, kriteret që ata duhet të përmbushin dhe mënyrën se si mund të aplikojnë përmes portalit të ri online të DAP.
Nëpunësi Civil: Çelësi i Suksesit për një Administratë Evropiane
Ftesë e hapur për të mësuar mbi procedurat e rekrutimit

Në 4 prill 2016, në ambientet e fakultetit të Shkencave Sociale do të organizohet një aktivitet për vlerësimin e progresit të arritur në procesin e rekrutimit në administratën publike. 




 
 
Në zbatim të pikës 1, të kruet VI, të Vendimit nr. 17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, njoftojmë të gjithë nëpunësit e shërbimit civil, shërbimit diplomatik dhe drejtuesit e çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor, që nuk përfshihet në shërbimin civil dhe aktualisht janë në detyrë, që duke filluar nga data 29.3.2016 dhe në përputhje me afatet ligjore të procesit të vetëdeklarimit, të depozitojnë personalisht pranë Departamentit të Administratës Publike në adresën Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Këshilli i Ministrave, formularin e vetëdeklarimit të shoqëruar me një kopje të një dokumenti identifikues.

Për më shumë informacion rreth procesit të vetëdeklarimit, lutemi referojuni Vendimit nr. 17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 138/2015, të cilët i gjeni në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, në linkun:
 
LIGJ Nr. 138/2015 - "PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE"

VENDIM Nr. 17/2016 - "PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA MBI ZBATIMIN E NDALIMEVE TË PARASHIKUARA NË LIGJIN NR. 138/2015"...

Formularin e vetëdeklarimit mund ta shkarkoni në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, në linkun:

Shkarko formularin e vetëdeklarimit



 

RAPORT VJETOR 2015 - STRATEGJIA NDËRSEKTORIALE E REFORMËS NË ADMINISTRATËN PUBLIKE (2015 – 2020)

Takimi i 6- i Grupit Special për Reformën në Administratën Publike, që u zhvillua më 8 mars 2016 në Tiranë ka pasur në fokus të tij disktutimin e progresit të bërë në zbatim Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015-2020 dhe Planit të saj të Veprimit.

Takimi është bashkëdrejtuar nga Ministra e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito dhe nga Përgjegjësia e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën në Komisionin Evropian, Znj. Michaela Matuella.

Në takim kanë marrë pjesë të gjithë institucionet shqiptarë të përfshira zbatimin e  Strategjisë për Reformën në Administratën Publike dhe gjithashtu të gjithë aktorët kryesorë vendas dhe të ndërkombëtarë, duke përfshirë Delegacionin e BE, UNDP, Bankën Botërore etj.

Në fjalën e saj në çelje të takimit, ministrja Harito është shprehur: “Reforma në Administratën Publike, si prioriteti numër 1 në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka shënuar progres të konsiderueshëm gjatë dy viteve të kaluara. Tashmë ka përfunduar raporti i parë i Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike (SNRAP) per vitin 2015. Nga gjetjet e këtij raportit rezulton se 63% e aktiviteteve janë duke u zbatuar. Nga këto 12% janë realizuar plotësisht ndërsa 88% të tjerat janë realizuar pjesërisht. Shifrat e paraqitura janë tejet premtuese, pasi më shumë se gjysma e aktiviteteve ka filluar zbatimin gjatë vitit të parë të strategjisë”.

Duke ju referuar objektivave për të ardhmen, Ministrja Harito tha: “Në terma afatshkurtër sfida jonë e vitit në vijim është shtrirja e sistemit të informacionit, pra asaj që quhet baza e të dhënave të administratës publike nga Shërbimi Civil ku ajo është tashmë efikase në të gjithë Administratën Publike. Është një sfidë e madhe, por është guri i themelit për të çuar përpara reformën”.

Ky takim vjen pas Raportit pozitiv të Komisionit Evropian për fushën e Administratës Publike, në të cilin shprehej se “progres i mirë është bërë në lidhje me prioritetin kyç të Reformës në Administratën Publike, sidomos në lidhje me implementimin e një strategjie për një reformë gjithëpërfshirëse”.

Grupi Special për Reformën në Administratën Publike është një strukturë dialogu mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

    

Fushatë informuese për Kodin e Ri të Procedurave Administrative

Zbatimi i Kodit të ri të Proçedurave Administrative mbetet një nga prioritetet kyç të reformës në Administratën Publike, i vlerësuar si i tillë edhe në Progres Raportin e KE.

Në këtë kuadër Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Drejtësisë, së bashku me Projektin e Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Qeveria franceze dhe italiane, do të ndërmarrin një fushatë informueses me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë publikë.

Në fokus të një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen përgjatë gjithë javës 22-26 shkurt 2016 do të jetë informimi i pjesëmarrësve mbi risitë dhe ndryshimet që ka sjellë Kodi i Ri i Procedurave Administrative.

Aktivitetet do të organizohen me pjesëmarrjen e disa prej institucioneve kryesore në rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, sipas rendit të mëposhtëm:

  • E hënë, 22 shkurt 2016 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Grupi i synuar do të jenë punonjësit e administratës publike qëndore.
  • E martë, 23 shkurt 2016 me Dhomën e Avokatisë. Grupi i synuar do të jenë avokatët.
  • E mërkurë, 24 shkurt 2016 në mjediset e Shkollës së Magjistraturës. Grupi i synuar do të jenë profesorët dhe studentët.
  • E enjte, 25 shkurt 2016 në ambientin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”- Fakulteti Juridik. Grupi i synuar do të jenë profesorët dhe studenët e fakultetit të Durrësit, si dhe institucionet e qeverisjes vendore. 
  • E premte, 26 shkurt 2016, në ambientet e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Grupi i synuar do të jenë profesorët dhe studentët e fakultetit juridik të Vlorës si dhe institucionet e qeverisjes vendore.

Projekti “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” filloi aktivitetin në maj 2015. Synimi i projektit është mbështetja e Qeverisë shqiptare në procesin e forcimit të qeverisjes dhe efiçencës në sektorin publik. Projekti, midis të tjerave, synon të mbështesë procesin e zbatimit të Kodit të Ri të Procedurave Administrative dhe të ngrejë standarted e administratës shqiptare në nivelet e kërkuara nga Bashkimi Europian.

 

Një nga aktivitetet e EURALIUS lidhet me menaxhimin e burimeve njerëzore në Ministrinë e Drejtësisë. Njerëzit më të mirëkualifikuar, të aftë për detyra të veçanta duhet të punojnë në shërbimin civil. Aktiviteti përfshin një vështrim në përshkrimet e punës, kriteret e rekrutimit dhe procedurat e transferimit. Aktualisht kjo detyrë menaxhohet kryesisht nga Departamenti i Administratës Publike. Emërimi dhe trasferimi i stafit si dhe zbatimi i ligjit të ri për Nënpunësit Civilë pritet të jenë në përputhje me standartet e Bashkimit Evropian.

Shefi i Misionit EURALIUS, Dr Rainer Deville u takua me Drejtoreshën e Departamentit të Administratës Publike, Znj. Albana Koçiu. EURALIUS do të ndihmojë me procedurat e ardhshme të rekrutimit gjatë muajit Mars-Maj dhe nga Qershori në vijim mund ti bashkohet ndihmës për të vlerësuar përshkrimet e punës, transferimin ose opsionet e karrierës të stafit të cilët punojnë në Ministrinë e Drejtësisë.

www.euralius.eu/sq