Në datën 18 nëntor, Departamenti i Administratës Publike njoftoi Thirrjen për vitin 2020, për punësimin e studentëve ekselentë në administratën shtetërore.
Çdo ekselent që ka përfunduar studimet me mesatare 9.00 – 10.00, nga viti 2017 e në vijim, mund të aplikojë për 108 pozicione vakante të publikuara në thirrje, deri në datën 4 dhjetor 2020.
Çdo hap i procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes do të bëhet nëpërmjet platformës, duke e bërë këtë proces të hapur, transparent dhe lehtësisht të monitorueshëm në punetembare.al dhe faqen zyrtare të www.dap.gov.al.
Nëpërmjet platformës “punetembare.al”, çdo i sapodiplomuar ekselent që është në kërkim të një eksperiencë në administratë, do të mund të regjistrohet dhe shprehë interesin për vendet e shpallura, duke ngarkuar online të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
Punësimi nga kjo platformë, do të ndihmojë ekselentët në zhvillimin e aftësive profesionale dhe karrierës së tyre. Pas një viti përvojë pune, nëse ata dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës shtetërore dhe shërbimit civil, mund të konkurrojnë nëpërmjet procedurave të konkurrimit bazuar në legjislacionin e shërbimit civil.
Në njoftimin e thirrjes, publikuar në platformën "punetembare.al" dhe faqen zyrtare të DAP është përcaktuar edhe metodologjia e përzgjedhjes së pozicionit të punës.
Falë Paktit për Universitetin, nga dy thirrjet e vitit 2019 janë punësuar në total 602 ekselentë.