Në datat 30 qershor - 2 korrik, Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në workshop-in rajonal "Forcimi i rekrutimit dhe përzgjedhjes në shërbimin civil në administratat e vendeve të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të Fqinjësisë Lindore" në Paris. Workshop-i u organizua nga SIGMA/OECD në bashkëpunim me GIZ, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratave publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të Fqinjësisë Lindore dhe ekspertëve të SIGMA-s dhe vendeve të OECD-së.
DAP u përfaqësua nga Drejtoresha e Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Administratës Publike, znj. Keida Meta, dhe Drejtoresha e Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore, znj. Marcela Kërëku, të cilat prezantuan zhvillimet më të fundit dhe përvojën shqiptare në fushën e rekrutimit dhe përzgjedhjes në shërbimin civil.
Workshop-i kishte si synim prezantimin e gjetjeve të studimit më të fundit të SIGMA-s mbi rekrutimin dhe përzgjedhjen në shërbimin civil, shkëmbimin e praktikave ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, si dhe identifikimin e sfidave të përbashkëta dhe prioriteteve konkrete të reformës që administratat mund të ndjekin në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
Gjatë workshop-it u trajtuan çështje që lidhen me planifikimin e kapaciteteve njerëzore dhe ndërtimin e një sistemi më efektiv të rekrutimit, rritjen e cilësisë së përzgjedhjes përmes profesionalizmit, integritetit dhe ekspertizës në proceset e vlerësimit, si dhe digjitalizimin e proceseve të rekrutimit, përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, së bashku me mekanizmat e monitorimit për përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit.
Pjesëmarrja në këtë workshop ishte një mundësi e rëndësishme për prezantimin e përvojës shqiptare, shkëmbimin e praktikave me administratat partnere dhe forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të një shërbimi civil profesional, transparent dhe të bazuar në meritë, në përputhje me standardet e OECD-së dhe procesin e integrimit evropian.