Viti i dytë i monitorimit të SNRAP, DAP vijon koordinimin ndërinstitucional për avancimin e RAP

Departamenti i Administratës Publike vijon procesin e monitorimit të zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike (SNRAP) 2025 - 2030, nëpërmjet Planit të Veprimit trevjeçar (2025 – 2027), me qëllim vlerësimin e ecurisë së angazhimeve të institucioneve përgjegjëse, si dhe adresimin e problematikave të evidentuara gjatë procesit të fundit të monitorimit.

Në këtë kuadër, në datat 6, 9, 11 dhe 17 nëntor, DAP organizoi katër takime teknike online me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse dhe kontribuese në zbatimin e Strategjisë. Diskutimet u zhvilluan rreth fushave prioritare të reformës: 

-    Zhvillimi dhe koordinimi i politikave; 
-    Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; 
-    Ofrimi i shërbimeve dhe digjitalizimi;
-    Organizimi, llogaridhënia dhe mbikëqyrja; 
-    Administrata e gjelbër. 

Pjesëmarrësit diskutuan mbi progresin, sfidat e hasura dhe hapat e nevojshëm për përmbushjen e angazhimeve deri në fund të vitit 2026, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për adresimin e problematikave dhe përshpejtimin e realizimit të aktiviteteve të planifikuara.