Takimi i Rrjetit EUPAN: Inteligjenca Artificiale, inovacioni dhe administrata e së ardhmes në fokus të diskutimeve në Nikozia

Në kuadër të Presidencës së Qipros të Këshillit të Bashkimit Europian 2026, Departamenti i Administratës Publike, së bashku me institucionet europiane dhe organizatat ndërkombëtare partnere, mori pjesë në takimin e radhës të Rrjetit Europian të Administratës Publike (EUPAN), që u zhvillua në Nikozia.

Gjatë dy ditëve të aktivitetit, 26–27 maj, diskutimet u fokusuan në sfidat dhe prioritetet e administratës publike europiane në epokën e transformimit digjital, me theks të veçantë te përdorimi i inteligjencës artificiale (AI), modernizimi i shërbimeve publike dhe ndërtimi i administratave më efikase, inovative dhe të orientuara drejt qytetarit.

Në takim morën pjesë vende anëtare të BE-së, Komisioni Europian, SIGMA/OECD, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga fusha e inovacionit, teknologjisë dhe qeverisjes publike.

Takimi i EUPAN konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme europiane për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe diskutimin e reformave që lidhen me administratën publike dhe transformimin institucional në Europë.