Më 10 qershor, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike raportin vjetor të veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike (DAP) për vitin 2025. Prezantimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, vetëm pak javë pas vlerësimit pozitiv të Bashkimit Europian për përmbushjen e piketave të ndërmjetme, ku reforma në administratën publike u evidentua si një nga fushat me progres të qëndrueshëm.
Gjatë raportimit u theksua se viti 2025 shënoi një sërë zhvillimesh të rëndësishme, ndër të cilat miratimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2025–2030 dhe planit të saj të veprimit. Treguesit e performancës dëshmojnë një administratë më profesionale dhe më të qëndrueshme, me ulje të masave disiplinore me 33.3%, reduktim të dorëheqjeve me 19.3% dhe rënie të lirimeve nga shërbimi civil me 32.8% krahasuar me një vit më parë.
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e interesit për karrierën në administratën publike. Numri mesatar i aplikantëve për një pozicion pune u rrit nga 17.5 në 20 aplikantë, ndërsa për procedurat e pranimit në shërbimin civil nga 20.3 në 23.4 aplikantë për pozicion. Gjatë vitit 2025 u emëruan 654 punonjës civilë, më shumë se gjysma e të cilëve iu bashkuan administratës përmes procedurave të rekrutimit nga jashtë shërbimit civil. Të dhënat tregojnë gjithashtu një interes të lartë të të rinjve, me moshën mesatare të aplikantëve që rezulton 33 vjeç.
Një tjetër fokus i rëndësishëm gjatë vitit 2025 ishte konsolidimi i reformës së pagave dhe thellimi i proceseve të digjitalizimit në administratën publike. Krahas përgatitjes së indeksimit të pagave me 2.5% për vitin 2026, përparoi edhe modernizimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, me sistemin HRMIS që administron sot mbi 60 mijë dosje personeli në rreth 860 institucione publike.