Lançohet Programi i Mirëseardhjes për punonjësit e rinj të administratës publike

Çdo punonjës që i bashkohet administratës publike do të ndjekë, tashmë, Programin e Mirëseardhjes, një program dedikuar formimit që synon të lehtësojë integrimin në shërbimin publik dhe të krijojë një bazë të përbashkët njohurish mbi funksionimin e administratës, etikën, integritetin dhe kulturën institucionale.

Programi u lançua gjatë aktivitetit "Ti je Aset - Nga Formimi në Ekselencë", zhvilluar në ditën e dytë të Javës së Administratës Publike 2026, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA). Aktiviteti iu kushtua zhvillimit profesional dhe promovimit të të nxënit gjatë gjithë karrierës në administratën publike.

Programi i Mirëseardhjes përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt standardizimit të procesit të orientimit të punonjësve të rinj dhe forcimit të kulturës organizative në institucionet publike. Përmes tij, punonjësit e rinj do të njihen me organizimin dhe funksionimin e institucioneve publike, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, standardet e etikës dhe integritetit, si edhe me vlerat që udhëheqin shërbimin publik.

Me këtë nismë, ASPA rikonfirmon rolin e saj si qendër ekselence për formimin dhe zhvillimin profesional të administratës publike, duke promovuar të nxënit e vazhdueshëm si një element thelbësor për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.

Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe ceremonia "Ti je Aset", gjatë së cilës u vlerësuan punonjës të administratës publike për kontributin, profesionalizmin dhe angazhimin e tyre në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.