Në periudhën 25 nëntor – 14 dhjetor 2025, znj. Marcela Kërëku, drejtor i Drejtorisë së Integritetit, Mbikqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore mori pjesë në Programin Ndërkombëtar të Trajnimit “National Government Administration for Senior Officials”, të organizuar nga Japan International Cooperation Agency (JICA), në kuadër të Programit për Bashkëkrijim Njohurish (Knowledge Co-Creation Program).
Programi kishte në fokus forcimin e kapaciteteve strategjike, drejtuese dhe institucionale të zyrtarëve të nivelit të lartë në administratën publike, duke synuar përmirësimin e qeverisjes publike, rritjen e eficiencës administrative dhe zhvillimin e politikëbërjes së bazuar në evidencë. Përmes shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të administrimit shtetëror, pjesëmarrësit u njohën nga afër me qasjet moderne të reformës së administratës publike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua modelit japonez të administratës publike, përfshirë menaxhimin e burimeve njerëzore, etikën në shërbimin civil, koordinimin ndërinstitucional, ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe qasjen afatgjatë ndaj reformave administrative.
Duke reflektuar mbi këtë përvojë, znj. Kereku u shpreh:
“Një përvojë e jashtëzakonshme, që i tejkaloi pritshmëritë e mia profesionale. Gjatë programit pata privilegjin të bashkëpunoj me zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer praktika konkrete, përvoja të suksesshme dhe ide të guximshme për qeverisje efektive, integritet institucional dhe forcimin e shërbimit civil. Jam e bindur se ky investim në dije dhe rrjetëzim do të reflektohet drejtpërdrejt në punën time të përditshme, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së administratës publike shqiptare dhe në forcimin e etikës në shërbim të qytetarëve.”
Pjesëmarrja në këtë program përbën një vlerë të shtuar për administratën publike shqiptare, duke mbështetur ndikimin në shkëmbimin e njohurive ndërkombëtare dhe në forcimin e kapaciteteve profesionale në funksion të reformave dhe standardeve moderne të qeverisjes.