Miratohet Plani Vjetor i Pranimit, 1056 vende vakante përgjatë 2026

Departamenti i Administratës Publike do të shpallë përgjatë vitit 2026, 1056 vende vakante në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil, të ndara në kategoritë si më poshtë:

-    Për kategorinë ekzekutive (752)
-    Për kategorinë e ulët drejtuese (205)
-    Për kategorinë e mesme drejtuese (99)

Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave këtu për planin vjetor të pranimit në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil renditen dhe fushat përkatëse për të cilat administrata do të ketë nevojë gjatë këtij viti:
Shkenca juridike; ekonomike; shoqërore; sociale; mjekësore; biologjike dhe të ngjashme me to; mjedisore ose të  tjera  të  përshtatshme; inxhinierike; ekzakte; edukimi; Audit i brendshëm; Histori dhe filologji; Veterinari; Agronomi; Zootekni; Mbrojtje bimësh; Kimi; Arkitekturë; Arkeologji dhe restaurime; Arte të bukura; Gjeodezi; Mësuesi; Arsim i lartë ushtarak/policor; Arsim i lartë.
Në vendim sqarohet gjithashtu se plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese do të bëhet fillimisht përmes procedurës së lëvizjes paralele. Në këtë fazë mund të konkurrojnë nëpunës civilë të së njëjtës kategori, brenda të njëjtit institucion ose nga institucione të tjera të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet ligjore dhe kërkesat specifike të pozicionit.
DAP rikujton se kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të kenë fillimisht një profil online në faqen zyrtare www.dap.gov.al, ku të ngarkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe më pas të aplikojnë për shpalljet që përputhen me kualifikimet dhe interesin e tyre.