Kuvendi i Shqipërisë miratoi në 2 korrik, ndryshimet në ligjin nr. 90/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", duke hedhur një hap të rëndësishëm në modernizimin e administratës publike dhe forcimin e llogaridhënies së institucioneve shtetërore. Reforma përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të viteve të fundit në organizimin e administratës dhe është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Pas 14 vitesh zbatim, ligji përshtatet me zhvillimet institucionale, sfidat e administratës publike me standardet e Bashkimit Evropian, duke krijuar një model më të qartë organizimi, me përgjegjësi të përcaktuara, procese më efikase vendimmarrjeje dhe mekanizma më të fortë monitorimi të performancës.
Ndryshimet synojnë të rrisin cilësinë e qeverisjes, të përmirësojnë koordinimin ndërmjet institucioneve dhe të garantojnë një administratë më funksionale, më transparente dhe më të orientuar drejt rezultateve. Në të njëjtën kohë, ato mbështesin përmbushjen e piketave mbyllëse të negociatave në fushën e Reformës në Administratën Publike dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndër risitë kryesore të reformës janë:
- Vendosja e një sistemi të unifikuar për monitorimin e performancës në administratën shtetërore
- Riorganizimi i institucioneve joministrore në institucione varësie dhe agjenci autonome
- Forcimi i rolit të drejtorive të përgjithshme si niveli më i lartë i vendimmarrjes për proceset rutinore dhe menaxhimin e politikave publike
- Vendosja e rregullave të qarta për rekrutimin dhe largimin nga puna në institucionet që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët, përfshirë spitalet, shkollat dhe institucionet sociale
Këto ndryshime e afrojnë administratën shqiptare me standardet evropiane dhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.