Miratohet Strategjia 2025–2030 për Reformën në Administratën Publike

Me vendimin nr. 472, datë 31 korrik 2025, Këshilli i Ministrave ka miratuar Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike (SNRAP) 2025–2030, dokumentin themelor që udhëheq zhvillimin e administratës publike shqiptare për pesë vitet e ardhshme.

Vizioni

Strategjia synon ndërtimin e një administrate profesionale, efikase, inovative dhe të motivuar, në përputhje me standardet europiane dhe parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, si pjesë e përgatitjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Roli i DAP

Departamenti i Administratës Publike (DAP) ka rol udhëheqës në:

  • Monitorimin dhe raportimin e zbatimit të strategjisë, përmes Sekretariatit Teknik;
  • Zbatimin e masave konkrete në kuadër të 3 objektivave kryesorë të politikave:
    • Shërbimi Civil dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore (Qëllimi Politik 2);
    • Organizimi, Llogaridhënia dhe Mbikëqyrja e Administratës (Qëllimi Politik 4);
    • Administrata Publike e Gjelbër (Qëllimi Politik 5).

Hapat e mëtejshëm

Strategjia do të zbatohet përmes planit të veprimit 2025–2027, ku çdo njësi dhe individ brenda DAP do të ketë rol kyç në kthimin e këtij dokumenti politik në një proces real transformimi për administratën publike. Në javët në vijim do të organizohen takime të brendshme për të përcaktuar detajet e zbatimit dhe përfshirjen e secilës strukturë.