Konferencë e nivelit të lartë për Reformën në Administratën Publike: Fokusi te menaxhimi i performancës

Rritja e produktivitetit të administratës publike përmes përmirësimit të menaxhimit të performancës ishte në qendër të Konferencës së Nivelit të Lartë zhvilluar në Tiranë, në datën 26 mars 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Konferenca u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe projekti EU4GoodGovernance (EU4GG), në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Departamentin e Administratës Publike.
Në një kohë kur Shqipëria po avancon në procesin e integrimit në BE, administrata publike mbetet një faktor kyç për realizimin e reformave. Me burime të kufizuara, rritja e produktivitetit dhe eficiencës së shërbimit civil konsiderohet një domosdoshmëri. Në këtë kuadër, konferenca solli në vëmendje praktikat ndërkombëtare dhe përvojat nga sektori publik dhe ai privat, me qëllim orientimin e autoriteteve shqiptare në hartimin e legjislacionit dytësor.

 

Konferenca u zhvillua në tre panele kryesore, të cilat trajtuan elementët kyç të menaxhimit të performancës:
-    Përmirësimin e sistemeve të vlerësimit të punonjësve
-    Lidhjen e performancës me shpërblimet financiare dhe jo-financiare
-    Delegimin e përgjegjësive si instrument i menaxhimit të performances

Diskutimet evidentuan se përmirësimi i menaxhimit të performancës nuk lidhet vetëm me vlerësimin formal të punonjësve, por kërkon një qasje më të gjerë që përfshin motivimin, shpërblimin dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive.

Konferenca u vlerësua si një hap domethënës drejt përmirësimit të kapaciteteve të administratës publike në Shqipëri dhe përafrimit të saj me standardet evropiane, me synim ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Menaxhimi Performances