Në kuadër të Konferencës së 4-t Rajonale WeBER “Qytetarët të parët: Një dekadë përparimi drejt një administrate publike të përqendruar te qytetari” zhvilluar në Beograd më 10-11 qershor 2026, Drejtori i Drejtorisë së Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore, znj. Marcela Kërëku, prezantoi përvojën shqiptare në forcimin e integritetit dhe etikës në administratën publike.
Gjatë prezantimit u theksua se sfida më e madhe e reformës së administratës publike nuk lidhet vetëm me përmirësimin e procedurave apo ndryshimet ligjore, por mbi të gjitha me transformimin e kulturës institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e kalimit nga një administratë e bazuar kryesisht në respektimin formal të rregullave drejt një administrate të mbështetur në vlera, integritet dhe përgjegjshmëri.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Këshilltarëve të Etikës, të cilët shërbejnë si këshillues të besuar për nëpunësit publikë, mbështetje për drejtuesit e institucioneve dhe garantë të integritetit institucional. Përmes këshillimit, informimit, ndërgjegjësimit, monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve të integritetit, ata kontribuojnë në krijimin e një kulture organizative që promovon etikën dhe sjelljen profesionale në administratën publike.
Gjatë diskutimeve u theksua gjithashtu se integriteti nuk është një koncept teorik apo një detyrim formal, por një element thelbësor i cilësisë së shërbimeve publike. Qytetarët e perceptojnë integritetin përmes vendimmarrjes së paanshme, transparencës, profesionalizmit dhe standardeve të larta të shërbimit që ofrojnë institucionet publike.
Konferenca “Citizens First” shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave rajonale dhe promovimin e praktikave më të mira në fushën e reformës së administratës publike, me fokus në ndërtimin e institucioneve më transparente, më të përgjegjshme dhe më të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.