Nga vizibiliteti drejt ndërtimit të besimit: ReSPA lançon Komunitetin Rajonal të Profesionistëve të Komunikimit Publik

Përfaqësues të institucioneve publike, profesionistë të komunikimit qeveritar dhe ekspertë të politikave nga Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Armenia u mblodhën në datat 18-19 qershor, në Budva, në aktivitetin rajonal të ReSPA-s, “Komunikimi Efektiv i Politikave Publike nga Qeveritë”, një aktivitet dedikuar forcimit të komunikimit të politikave qeveritare dhe rritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike.

Aktiviteti shënoi fillimin e një Komuniteti Rajonal të Praktikës për profesionistët e komunikimit publik, një rrjet bashkëpunimi që synon shkëmbimin e njohurive, ndarjen e praktikave më të mira dhe zhvillimin e qasjeve të reja për komunikimin e politikave dhe reformave publike.

Diskutimet u mbështetën në gjetjet e studimit të SIGMA/OECD mbi komunikimin qeveritar në Ballkanin Perëndimor, Moldavi dhe Ukrainë. Gjithashtu, shtetet pjesëmarrëse prezantuan qasjet dhe praktikat e tyre në fushën e komunikimit qeveritar, duke ofruar një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si organizohet dhe zbatohet komunikimi publik në vendet përkatëse. Një nga mesazhet kryesore të aktivitetit ishte se, komunikimi nuk duhet të kufizohet vetëm te njoftimet institucionale apo promovimi i aktiviteteve, por duhet të konsiderohet një funksion strategjik i qeverisjes dhe të integrohet në të gjitha fazat e ciklit të politikëbërjes. 

Përfaqësuesit e Shqipërisë prezantuan kuadrin institucional dhe qasjen shqiptare në komunikimin qeveritar, duke ndarë përvojat mbi organizimin, koordinimin dhe zhvillimin e proceseve të informimit publik. Prezantimi shqiptar u bë pjesë e diskutimeve rajonale mbi sfidat dhe mundësitë që kanë administratat për të komunikuar më qartë politikat, shërbimet dhe reformat, si dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të forta besimi me qytetarët.

Pjesëmarrësit theksuan se, profesionistët e komunikimit duhet të përfshihen që në fazat e hershme të hartimit të politikave publike, në mënyrë që reformat të shpjegohen në mënyrë më të kuptueshme, të adresojnë më mirë nevojat e qytetarëve dhe të sigurojnë një nivel më të lartë besimi dhe angazhimi publik.

Në këtë aktivitet, pjesëmarrësit patën mundësinë e shkëmbimit të përvojave institucionale dhe identifikimin e sfidave të përbashkëta, si koordinimi ndërinstitucional, përdorimi i një gjuhe më të aksesueshme për publikun dhe matja e ndikimit real të komunikimit në mirëkuptimin dhe përfshirjen e qytetarëve.