Reforma në Administratën Publike, Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë

Drejtoresha e DAP, Nora Ilirjani, raporton në takimin e 14-të të Grupit të Posaçëm BE - Shqipëri në Bruksel.

Në Bruksel u zhvillua më 1 tetor 2026 takimi i 14-të i Grupit të Posaçëm për Reformën në Administratën Publike BE–Shqipëri, i bashkëkryesuar nga znj. Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni. 
Drejtoresha e DAP, znj. Ilirjani së bashku me përfaqësues të institucioneve shqiptare raportuan në takim mbi ecurinë e reformave dhe angazhimet e mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Komisioni Evropian mirëpriti fillimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025–2030, duke ritheksuar rëndësinë e kësaj reforme si pjesë e grupkapitullit “Themeloret” në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua shërbimit civil dhe menaxhimit to burimeve njerëzore. Komisioni vlerësoi hapat e ndërmarrë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe bashkëpunimin me OECD/SIGMA për rishikimin e legjislacionit të shërbimit civil.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të kapaciteteve profesionale të administratës, përmirësimit të proceseve të rekrutimit, konsolidimit të sistemit meritokratik dhe rritjes së aftësisë së institucioneve për t'iu përgjigjur kërkesave të procesit të integrimit evropian.

Në fokus ishin gjithashtu digjitalizimi i administratës publike, llogaridhënia institucionale, koordinimi i politikave dhe menaxhimi i financave publike. Komisioni mirëpriti progresin në zbatimin e Agjendës Digjitale, zhvillimin e mëtejshëm të platformës e-Albania dhe modernizimin e sistemeve elektronike.

Në përfundim të takimit, palët theksuan angazhimin e përbashkët për vijimin e reformave, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.