Me aktivitetin "Karriera ime: Administrata zgjedhje e parë", në datën 29 qershor u çel zyrtarisht edicioni i tretë i Javës së Administratës Publike, një nismë që promovon administratën publike si një zgjedhje moderne karriere, duke vendosur në qendër kapitalin njerëzor si themelin e institucioneve të së ardhmes.
Aktiviteti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve publike, partnerë ndërkombëtarë, universitete, studentë dhe profesionistë të rinj për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që ofron shërbimi publik në një kohë kur administrata shqiptare po përgatitet për fazën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në fokus të diskutimeve ishte krijimi i një administrate profesionale, të bazuar në meritë, inovacion dhe zhvillim të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore.
Në hapje të aktivitetit u zhvillua Dialogu i Nivelit të Lartë "Një agjendë e re për administratën e së ardhmes", moderuar nga Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Nora Ilirjani, me pjesëmarrjen e Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo. Diskutimi u fokusua në reformat për ndërtimin e një administrate moderne, tërheqjen dhe zhvillimin e talenteve, si dhe në forcimin e kapaciteteve administrative në funksion të integrimit evropian.
Më pas, në panelin tematik "Talenti në qendër: Sfidat dhe mundësitë për administratën moderne", përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe partnerë ndërkombëtarë diskutuan mbi mënyrat se si administrata publike mund të tërheqë, zhvillojë dhe mbajë profesionistët më të mirë. Diskutimet evidentuan rëndësinë e investimit te kapitali njerëzor, zhvillimit profesional, bashkëpunimit me universitetet dhe krijimit të mundësive të reja për brezin e ri në shërbimin publik.
Java e Administratës Publike 2026 do të vijojë përgjatë pesë ditëve me kalendarin e aktiviteteve që promovojnë profesionalizmin, inovacionin dhe zhvillimin e administratës publike, duke vënë në qendër njerëzit që ndërtojnë institucionet dhe kontribuojnë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.