Në kuadër të Javës së Integritetit, Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, zhvilloi aktivitetin “Lancimi i Rrjetit të Këshilltarëve të Etikës dhe Prezantimi i Udhëzuesit për Këshilltarët e Etikës”. Aktiviteti shënoi një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e funksionit të etikës në administratën publike shqiptare, përmes krijimit të Rrjetit të Koordinatorëve dhe Këshilltarëve të Etikës, me qëllim forcimin e integritetit, parandalimin e shkeljeve dhe promovimin e kulturës etike në institucionet publike.
Gjatë aktivitetit u prezantua Udhëzuesi për Koordinatorët dhe Këshilltarët e Etikës, i cili përmban rolin, mandatin, funksionet kryesore, instrumentet standarde të punës dhe formatet e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.“Etika në administratën publike nuk është thjesht një rregull, por një kulturë pune, një standard sjelljeje dhe një angazhim i përditshëm për të qenë të drejtë, të përgjegjshëm dhe të besueshëm. Kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve, forcimin e transparencës, parandalimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një administrate që funksionon realisht në shërbim të njerëzve. Udhëzuesi i miratuar së fundmi është një mjet praktik që lehtëson punën e institucioneve, duke ofruar udhëzime të qarta, të kuptueshme dhe të unifikuara për të gjithë. Ai shërben si një hartë orientuese për çdo punonjës publik – nga punonjësi i ri deri te drejtuesi me përvojë.” - tha gjatë fjalës përshëndetëse, znj. Vilma Guri, Drejtor i Departamentit të Administratës Publike.
Udhëzuesi është hartuar nga ekspertë të IDM-së në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike në kuadër të projektit WEBER 3.0, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe synon të shërbejë si bazë operacionale për funksionimin e rrjetit kombëtar të etikës.