Në datën 6 maj Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në prezantimin e projektit “GoEthics 2.0 – Governance, Ethics & Integrity”, një nismë e përbashkët e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM Albania), me mbështetjen financiare të Qeverisë së Suedisë.
Projekti synon të kontribuojë në forcimin e kulturës së integritetit, etikës dhe transparencës në administratën publike, përmes zhvillimit të mekanizmave të qëndrueshëm të mirëqeverisjes dhe rritjes së rolit të shoqërisë civile në monitorimin e institucioneve publike.
Një nga komponentët kryesorë të projektit është hartimi dhe zbatimi i Planeve të Integritetit në institucionet përfituese, në bashkëpunim me MAPA, Drejtorinë e Përgjithshme Antikorrupsion, Departamentin e Administratës Publike dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Projekti parashikon gjithashtu ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e monitorimit të jashtëm, me synimin për të rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike.