Forcimi i lidershipit publik, Drejtoresha e DAP në programin europian të ReSPA-s

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, znj. Nora Ilirjani, mori pjesë në modulin e parë të Akademisë së Lidershipit të ReSPA-s, të zhvilluar në Paris dhe Bruksel, gjatë datave 14–18 shtator 2026, së bashku me drejtues të nivelit të lartë të administratave publike të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Armenisë. Moduli, me temë “Lidershipi – Të përfaqësosh, të frymëzosh dhe të mobilizosh”, synoi forcimin e aftësive drejtuese, nxitjen e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e kapaciteteve për të udhëhequr reformat e administratës publike në kuadër të integrimit europian.

Programi nisi në Paris, pranë Institutit Kombëtar të Shërbimit Publik të Francës (INSP), ku pjesëmarrësit u angazhuan në trajnime dhe ushtrime praktike mbi lidershipin, menaxhimin e ekipeve, komunikimin efektiv dhe drejtimin e ndryshimeve institucionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu nxitjes së inovacionit dhe rolit të lidershipit në drejtimin e administratës publike në epokën e inteligjencës artificiale. 

Pas përfundimit të aktiviteteve në Paris, programi vijoi në Bruksel me vizita dhe shkëmbime përvojash pranë institucioneve europiane, përfshirë Komisionin Europian dhe Shërbimin Publik Federal Belg për Politikat dhe Mbështetjen (BOSA). Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrësit u njohën nga afër me funksionimin e institucioneve të Bashkimit Europian, politikat e zgjerimit, parimet e mirëqeverisjes dhe praktikat europiane për modernizimin e administratës publike.

Akademia e Lidershipit të ReSPA-s konceptuar si një program trevjeçar për zhvillimin e kapaciteteve drejtuese dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave publike, ndërthur  trajnimet, shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat europiane.

Bruksel