Forcimi i etikës në administratë, studentët e Drejtësisë njihen me praktikat e reja të shërbimit civil

Departamenti i Administratës Publike priti në një takim bashkëbisedues studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe pedagogen znj. Eralda Methasani, të cilët u njohën me zhvillimet më të fundit që DAP ka ndërmarrë në kuadër të forcimit të integritetit, transparencës dhe standardeve etike në shërbimin civil.

Pjesë e diskutimit ishte edhe përfshirja për herë të parë e lëndës “Etika në Administratën Publike” në programin e Fakultetit të Drejtësisë, një hap i rëndësishëm për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm të administratës publike. Studentët u njohën gjithashtu me praktikat dhe mekanizmat që synojnë ndërtimin e një administrate më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve.

Takimi u vlerësua si një urë bashkëpunimi mes universiteteve dhe institucioneve publike, me synimin për të afruar studentët me praktikat konkrete të administratës dhe për t’i orientuar drejt një kulture profesionale bazuar te integriteti dhe shërbimi ndaj qytetarëve.