Etika publike dhe integriteti institucional në fokus të konferencës kombëtare

Bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), rrjetit të Këshilltarëve të Etikës, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, Departamenti i Administratës Publike mori pjesë më 16 qershor në Konferencën Kombëtare “Qytetarët të parët: Etika publike dhe qeverisja me pjesëmarrje”, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë për forcimin e integritetit institucional, transparencës dhe besimit të qytetarëve tek administrata publike.

Konferenca solli në vëmendje rëndësinë e forcimit të integritetit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve si elementë kyç për ndërtimin e institucioneve më të përgjegjshme, më transparente, llogaridhënëse dhe më pranë qytetarëve. Gjatë diskutimeve u theksua se, integriteti nuk ndërtohet vetëm përmes ligjeve dhe procedurave, por edhe përmes kulturës institucionale, përgjegjshmërisë individuale dhe angazhimit të përditshëm të punonjësve publikë.

Një fokus i veçantë iu kushtua rolit të Këshilltarëve të Etikës në administratën publike, si promotorë të kulturës së integritetit, besimit dhe llogaridhënies. Gjithashtu, u prezantuan përvoja dhe praktika të organizatave të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të komuniteteve të tyre, si dhe gjetjet e konsultimeve me qytetarët në disa bashki të vendit, duke vënë theksin te transparenca, pjesëmarrja qytetare dhe cilësia e qeverisjes vendore, si dhe fokusi kryesor ishte angazhimi i tyre në tre fazat e procesit si: mbështetja, informimi dhe ndërgjegjësimi, si dhe monitorimi dhe raportimi i dilemave të etikës.
Konferenca u organizua nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit WeBER, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Austrian Development Agency (ADA), me mbështetjen dhe bashkëfinancimin e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri përmes projektit “GoEthics 2.0 – Governance, Ethics & Integrity”.