Departamenti i Administratës Publike mirëpriti në 6 nëntor workshop-in me temë “Etika profesionale në administratën publike: Nga parimet te vendimmarrja”, organizuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
Në workshop morën pjesë Këshilltarët e Etikës të Kryeministrisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tyre të varësisë, me qëllim trajtimin e dilemave etike që lindin gjatë ushtrimit të detyrave dhe marrjes së vendimeve në administratën publike.
Gjatë fjalës përshëndetëse në nisje të workshop-it, drejtoresha e DAP-it, znj. Nora Ilirjani, theksoi se “brendësimi i rregullave të etikës në administratën publike është po aq i rëndësishëm sa profesionalizmi i saj”, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të parimeve etike në praktikën e përditshme institucionale.
Përmes analizës së rasteve konkrete, diskutimeve interaktive dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit trajtuan situata që kërkojnë gjykim profesional, përgjegjshmëri dhe vendimmarrje në përputhje me standardet etike të shërbimit publik.
Aktiviteti i organizuar në kuadër të projektit “GoEthics 2.0”, me mbështetjen e Ambasadës Suedeze, shërbeu si një hapësirë për reflektim dhe shkëmbim praktikash ndërmjet Këshilltarëve të Etikës, duke theksuar rolin e tyre në promovimin e integritetit dhe forcimin e kulturës etike brenda institucioneve publike.