Përmbyllet Edicioni III i Javës së Administratës Publike, në fokus administrata 2030 dhe rrugëtimi evropian i Shqipërisë

Me Dialogun me Kryeministrin z. Edi Rama u zhvillua një nga aktivitetet kryesore të Edicionit III të Javës së Administratës Publike, me temë "Formëso të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Karrierë me impakt në shërbimin publik".

Në hapje të aktivitetit, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, prezantoi disa nga nismat kryesore të reformës, përfshirë sistemin e ri të kontrollit të performancës së institucioneve, zgjerimin e mundësive të rekrutimit për pozicionet menaxheriale, si dhe masat për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit.

Sakaq në fjalën e tij, kryeministri z. Edi Rama e cilësoi transformimin e administratës publike si një proces kompleks dhe afatgjatë, duke vlerësuar rolin e nëpunësve publikë në modernizimin e shtetit dhe në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Programi i aktivitetit vijoi me panelin "Karriera pa kufij: Administrata shqiptare më pranë Brukselit", ku Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, theksoi se administrata publike shqiptare ndodhet në një proces të thellë transformimi evropian. Ai nënvizoi se negociatat me Bashkimin Evropian kanë krijuar një brez të ri nëpunësish me ekspertizë të specializuar, ndërsa administrata duhet të vijojë të forcojë profesionalizmin, meritokracinë dhe kulturën institucionale për të përmbushur standardet e një vendi anëtar të BE-së.
Përgjatë pesë ditëve të Javës së Administratës Publike u zhvillua një program i larmishëm aktivitetesh kushtuar administratës publike të vitit 2030, me fokus zhvillimin e talenteve, forcimin e lidershipit, integritetin, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe përgatitjen e institucioneve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.