Në kuadër të Javës së Administratës Publike 2026 u zhvillua aktiviteti "Përvoja që frymëzon - Vitet që ndërtuan administratën publike", organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike.
Aktiviteti iu dedikua vlerësimit të kontributit shumëvjeçar të nëpunësve civilë dhe forcimit të dialogut ndërbrezor në administratën publike. Aktiviteti solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes dhe transmetimit të përvojës profesionale si një vlerë thelbësore për zhvillimin e një administrate moderne dhe të qëndrueshme.
Në qendër të takimit ishte bashkëbisedimi ndërbrezor, ku profesionistë me përvojë dhe punonjës të rinj ndanë histori, sfida dhe mësime të fituara gjatë viteve të shërbimit publik. Dialogu krijoi një hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe për reflektim mbi rolin që luan përvoja në ndërtimin e institucioneve profesionale dhe në përgatitjen e brezit të ri të administratës publike.
Gjatë aktivitetit u vlerësuan me Certifikatën e Mirënjohjes punonjës të administratës publike, të cilët, përmes përkushtimit dhe profesionalizmit të tyre ndër vite, kanë dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e shërbimit publik dhe të institucioneve shqiptare.
Ky takim rikonfirmoi angazhimin për të krijuar mekanizma që lehtësojnë transferimin e dijes dhe përvojës nga profesionistët me eksperiencë te gjenerata e re, duke ndërtuar një administratë publike gjithnjë e më profesionale, inovative dhe të përgatitur për sfidat e integrimit evropian.