DAP organizon webinarin e parë për mundësitë e karrierës në diplomaci

Departamenti i Administratës Publike organizoi për herë të parë webinarin informues "Bëhu diplomat i Shqipërisë Evropiane", duke sjellë një qasje më të drejtpërdrejtë dhe interaktive për informimin e kandidatëve potencialë mbi mundësitë e karrierës në shërbimin publik.


I organizuar në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, webinari u fokusua në prezantimin e pozicioneve vakante aktuale në këtë institucion, procesin e aplikimit dhe të përzgjedhjes, si edhe mundësitë për zhvillimin e një karriere në shërbimin diplomatik.


Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me përvojën profesionale të një diplomati në shërbim, ndërsa përmes sesionit të pyetje-përgjigjeve patën mundësinë të marrin informacion të drejtpërdrejtë dhe përgjigje për çështjet që lidhen me procesin e aplikimit dhe zhvillimin e karrierës në diplomaci.


Organizimi i këtij webinari shënon fillimin e një forme të re komunikimi të Departamentit të Administratës Publike me kandidatët potencialë, bazuar në informim, transparencë dhe dialog, me synimin për të afruar institucionet publike me profesionistët e interesuar për një karrierë në administratën shtetërore.