DAP në takimin rajonal për forcimin e integritetit në administratën publike

Forcimi i standardeve të etikës, parandalimi i korrupsionit dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale në administratën publike ishin në fokus të takimit rajonal të Komunitetit të Praktikës për Integritetin në sektorin publik, organizuar nga ReSPA në Tiranë, më 21-22 tetor. Departamenti i Administratës Publike u përfaqësua nga znj. Marcela Kërëku, Drejtoreshë e Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore.

Gjatë aktivitetit u prezantua një program i ri trajnimi online për integritetin në sektorin publik, i zhvilluar nga ReSPA me mbështetjen e Francës. Programi trajton çështje si konflikti i interesit, deklarimi i pasurive, mbrojtja e sinjalizuesve dhe parandalimi i korrupsionit, duke synuar forcimin e kulturës etike dhe zbatimin e standardeve të integritetit në punën e përditshme të institucioneve.

Takimi shërbeu gjithashtu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e nismave të përbashkëta për vitet 2027-2028, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor, Armenia, Moldavia dhe Ukraina.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit të ReSPA-s për forcimin e kapaciteteve në fushën e etikës dhe integritetit në shërbimin publik, mbështetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës.