Në 29 shtator, Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në sesionin kushtuar performancës së administratës shtetërore, zhvilluar në Pogradec në kuadër të tryezës së përbashkët të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil me Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe Nënkomisionin për Administratën Publike.
Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor, ndërsa diskutimet u fokusuan te zbatimi i Rezolutës së Kuvendit dhe Planit të Veprimit të KMSHC-së, administrimi i shërbimit civil, paanshmëria politike, digjitalizimi i mbikëqyrjes dhe forcimi i mekanizmave për ndjekjen e rekomandimeve.
Gjatë fjalës së saj, drejtoresha e DAP, znj. Nora Ilirjani, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional për një administrim më të mirë të shërbimit civil, parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e efikasitetit të administratës publike.
DAP nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një bashkëpunimi më të strukturuar me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Kuvendin, përmes raportimit, koordinimit institucional dhe përdorimit të treguesve të përbashkët të performancës.