DAP në takimin e EUPAN në Dublin, në fokus e ardhmja e administratës publike

Përfaqësues të Departamentit të Administratës Publike morën pjesë më 1-2 tetor në Dublin, në takimin e Rrjetit Evropian të Administratës Publike (EUPAN), së bashku me përfaqësues të administratave publike të vendeve të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate dhe institucioneve evropiane.

Në qendër të diskutimeve ishte mënyra se si administratat publike mund të bëhen më efikase, më të qëndrueshme dhe më të afta për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit digjital, zhvillimit të aftësive të punonjësve, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimit më të mirë të të dhënave në hartimin e politikave publike.

Një nga temat kryesore ishte përdorimi i teknologjisë dhe i Inteligjencës Artificiale në administratë. Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat se si IA mund të mbështesë procesin e hartimit të politikave, të përmirësojë shërbimet publike dhe të ndihmojë administratat të punojnë në mënyrë më të integruar dhe më efikase. Në këtë kuadër u trajtua edhe modeli “Qeveria si Platformë” dhe përvoja e Irlandës në zhvillimin e shërbimeve publike të integruara dhe të orientuara drejt qytetarit.

Ndër të tjera, në fokus ishin:

-    Fuqia punëtore e së ardhmes në administratën publike, me fokus në zhvillimin e kompetencave, të nxënit  të vazhdueshëm, planifikimin e burimeve njerëzore dhe praktikat moderne të menaxhimit;
-    Zhvillimi profesional i vazhdueshëm i punonjësve, si një element kyç për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e suksesshëm të reformave;
-    Përdorimi i evidencës dhe të dhënave në hartimin e politikave dhe dizajnimin e shërbimeve publike;
-    Gjetjet e EUPAN mbi zbatimin efektiv të politikave në administratat publike;
-    Zhvillimet lidhur me Kuadrin e Përbashkët të Vlerësimit (CAF) 2026–2027.

Takimi shërbeu gjithashtu si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave me partnerët evropianë dhe njohjen nga afër me praktikat dhe qasjet që po zbatohen në administratat publike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përmes angazhimit në EUPAN, Shqipëria vijon të jetë pjesë e dialogut evropian për zhvillimin e një administrate publike më profesionale, moderne, transparente dhe të orientuar drejt qytetarit.

Eupan 3
Eupan 1