DAP forcon kapacitetet për komunikimin institucional dhe përdorimin e inteligjencës artificiale

Përfaqësues të Departamentit të Administratës Publike morën pjesë në trajnimin rajonal të organizuar nga ReSPA, me fokus përmirësimin e komunikimit institucional dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Në datat 8-9 tetor 2026, në Bar të Malit të Zi, u zhvillua trajnimi rajonal “Qasja inovative: Përvetësimi i strategjisë dhe inteligjencës artificiale nga profesionistët e komunikimit në sektorin publik”, i cili mblodhi përfaqësues të strukturave të komunikimit të administratave publike të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Fqinjësisë Lindore.

Trajnimi u përqendrua në dy fusha kryesore: komunikimin strategjik në funksion të prioriteteve institucionale dhe përdorimin praktik të inteligjencës artificiale (AI). Pjesëmarrësit trajtuan planifikimin e komunikimit, përcaktimin e audiencave, hartimin e mesazheve efektive, si dhe përdorimin e mjeteve të AI-së për përpunimin e informacionit, monitorimin e medias dhe përgatitjen e përmbajtjeve për kanalet e komunikimit institucional.

Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke theksuar sigurinë e të dhënave, saktësinë e informacionit, standardet etike dhe mbikëqyrjen njerëzore.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të DAP-it në këtë aktivitet mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktika bashkëkohore, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale, modernizimin e komunikimit institucional dhe përmirësimin e ndërveprimit me qytetarët.

Montengro