Beograd, digjitalizimi dhe transparenca në qendër të forumit rajonal

Në datat 17-18 mars 2026, në Beograd u zhvillua Forumi për Qeverisjen Digjitale dhe Takimi i Grupit të Punës për Transformim Digjital, organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA). Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ballkani Perëndimor, vendet e Fqinjësisë Lindore dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë pikat e kontaktit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership/OGP). Qëllimi i forumit ishte forcimi i lidhjes mes angazhimeve për qeverisje të hapur dhe reformave për transformim digjital.

Diskutimet dyditore u përqëndruan në përdorimin e mjeteve digjitale, të dhënave dhe inteligjencës artificiale për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e të dhënave të hapura, platformave digjitale për konsultim publik dhe nevojën për përdorim të përgjegjshëm të teknologjisë në proceset vendimmarrëse.

Qeverisja e hapur dhe digjitalizimi u konsideruan si dy shtylla kyçe për ndërtimin e një administrate moderne, efikase dhe të orientuar drejt qytetarit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.