IDENTIFIKOHU

“Nepunesit Civil” ne kuptim te ketij ligji jane ata nepunes te institucioneve te administrates publike te nivelit qendror apo vendor, te cilet ushtrojne autoritetin publik, ne detyra te natyres drejtuese, organizuese, mbikqyrese apo ekzekutuese, percaktuar sipas nenit 11 te ligjit te Statusit te Nepunesit Civil

Hyr Trajnime Pyetje per Trajnim Regjistrohuni
Regjistrohu/Profil  
Albanian English

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë organizuar paraditen e djeshme konferencën me temë “Nëpunësi civil: Çelësi i suksesit për një administratë evropiane”.

Në konferencë merrnin pjesë Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Yngve Engstrom, përgjegjësi i Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale, Edmond Dragoti si dhe akademikë.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ka qenë ta bëjë më të prekshme mundësinë e përfshirjes në Shërbimin Civil për të rinjtë e sapodiplomuar apo edhe studentët e viteve të fundit të masterit.

Duke marrë fjalën në konferencë ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka theksuar se reforma në Administratën Publike është prioriteti numër një i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe si i tillë ka patur vëmendjen maksimale nga Qeveria.

“Vitin e kaluar ne shpallëm 1006 vende të lira në Shërbimin Civil dhe vetëm 65% prej tyre tyre u arrit të plotësoheshin. 35% e vendeve të shpallura, mbetën sërish vakante. Kjo është një provë se konkurset janë të lira dhe krejtësisht transparente. Nëse do të kishte emërime politike apo të privilegjuara, nuk do të kishte asnjë vend bosh në Shërbimin Civil. Ndaj mos u dekurajoni nga akuzat e pabaza që dëgjoni gjatë debatit të ndezur politik, por provojini vetë forcat dhe dijet tuaja, duke u bërë kështu dëshmitarët më të mirë të ndryshimit të madh që kanë pësuar procedurat e rekrutimit në Shërbimin Civil”, ka thënë ministrja Harito në fjalën e saj.

Sipas ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike edhe gjatë vitit 2016 numri i vendeve të lira në shërbimin Civil është mbi 1000 dhe rruga është e hapur për të gjithë ata që do të tregojnë aftësi dhe përgatitjen e duhur në konkurset që do të organizohen nga DAP.

Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu në fjalën e saj është ndalur në sfidat dhe risitë që ka sjellë zbatimi në praktikë i ligjit të ri “Për nëpunësin civil”. Sipas saj i gjithë procesi i rekrutimit ka pasur një ndryshim rrënjësor, çka ka dhënë edhe rezultatet e veta në drejtim të rritjes së besueshmërisë së publikut në këto procedura, tashmë plotësisht të lira dhe transparente. Znj.Koçiu u ndal edhe mbi procedurën e re të aplikimit në shërbimin civil e cila kryhet e gjitha online nëpërmjet faqes zyratare të Departamentit të Administratës Publike. Gjithashtu, në Sesionin e Dytë të Konferencës, Drejtoresha e DAP dhe përfaqësues të këtij institucioni prezantuan në detaj procedurën e aplikimit duke u ndaluar mbi të gjitha hapat e tij.

Ndërkohë në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale u zhvilluar njëkohësisht me Konferencën edhe një panair pune i një lloji të veçantë. Në këtë panair është prezantuar lista e vendeve të lira të punës në administratën publike, për të cilat nuk kërkohet të kesh eksperiencë pune, çka do të thotë se janë të mundshme për t’u arritur nga studentët e sapodiplomuar.

Në katër stenda të veçanta përfaqësuesit e Ministrisë të Arsimit, Ministrisë së Financës, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Integrimit kanë shpjeguar për të gjithë të rinjtë e interesuar profilin e vendeve të lira të punës në këto institucione, kriteret që ata duhet të përmbushin dhe mënyrën se si mund të aplikojnë përmes portalit të ri online të DAP.



 

Arritjet e deritanishme të reformës në Administratën Publike janë diskutuar sot paradite në seminarin me temë “Roli i drejtuesve të lartë në Administratën Publike Shqiptare”, organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i binjakëzimit, “Mbështetje për reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”, financuar nga BE.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito,  Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström, ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi, sekretarja e parë e ambasadës italiane, Raffaella Campanati si dhe sekretarët e përgjithshëm të të gjitha ministrive.

Ministrja Harito ka bërë një ekspoze të gjithë hapave të deritanishëm të reformës së Administratës Publike. “Kemi krijuar sistemin më transparent, që përmbledh aplikimin, konkurrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, duke ju dhënë mundësinë të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurse, por edhe më gjerë ta kontrollojë dhe verifikojnë të gjithë procesin. Dhe çelësi është këtu. Asnjë sistem nuk mund të jetë perfekt, por çdo system perfeksionohet nëse është i kontrollueshëm”, është shprehur ministrja Harito.

Më tej ministrja është ndalur në prezantimin e sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzorë (HRMIS). Puna për këtë sistem, mbështetur nga fonde të Bankës Botërore dhe IPA  2008 deri 2011, kishte nisur qysh në vitin 2005. Por me gjithë këto projekte e investime, deri në fund të vitit 2013 sistemi i HRMIS kishte të dhëna vetëm për 4 ministri.

Aktualisht ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjesve si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjensitë në varësi të ministrive.  

Një nga risitë më të rëndësishme të sistemit HRMIS është llogaritja e pagave për punonjësit e administratës publike në mënyrë automatike. Sistemi do të gjenerojë  në mënyrë  elektronike  listën e pagesave të punonjësve të institucioneve. Kjo do të realizohet me anë të ndërveprimit të sistemit HRMIS me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Aktualisht sistemi HRMIS ndërvepron me bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në baze të numrit të identifikimit të punonjësit. Pjesë e sistemit do të jenë të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Duke marrë fjalën në këtë seminar, Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström tha se “menaxhimi është shumë i rëndësishëm për punën e përditshme, ndaj administratës i duhet të zgjedhë njerëzit më të mirë për ta kryer punën”. Sipas tij “reforma në administratë është elementi kyç për hapjen e negociatave dhe zhvillimin e konomik të vendit”.

Ndërsa ambasadori francez dhe sekretarja e parë e ambasadës Italiane e vunë theksin në mbështetjen që po japin vendet e tyre dhe shkollat respektive të Administratës Publike të Francës dhe Italisë për të sjellë përvojën më të mirë europiane në organizimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në Shërbimin Civil shqiptar. 

1.8 milion Euro fonde të BE për mbështetjen e reformës së shërbimit civil në Shqipëri 

U paraqit sot projekti i binjakëzimit “Mbështetje për Reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri” i cili synon të sjellë vendin më afër me standardet Evropiane duke investuar 1.8 milion Euro në mbështetjen e reformave të administratës publike shqiptare. 

Projekti do të ndajë praktikat e mira të zhvilluara brenda BE-së me administratën publike shqiptare dhe do të nxisë marrëdhëniet afat-gjata ndërmjet administratave. Ai synon të mbështesë zbatimin e Ligjit të ri për shërbimin civil (LSHC) dhe të legjislacionit të ri për procedurat administrative në përputhje me kërkesat e BE. Projekti fokusohet gjithashtu në forcimin e kapaciteteve menaxhuese të shërbimit civil duke zhvilluar dhe organizuar trajnime të trajnuesve dhe ekspertëve si dhe trajnime të nëpunësve civilë mbi procedurat e reja që burojnë nga zbatimi i legjislacionit të ri për shërbimin civil dhe procedurat administrative. Ky është një kusht i rëndësishëm jo vetëm për axhendën e vendit për anëtarësim në BE por edhe për një qeverisje të qëndrueshme dhe të forcuar të sektorit publik dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për publikun. Institucioni kryesor përfitues është Departamenti i Administratës Publike (DAP).

Gjatë ceremonisë së hapjes, Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Romana Vlahutin theksoi rëndësinë e një administratë publike mirë-funksionuese si një domosdoshmëri për një qeverisje demokratikë. Ajo tha se ky projekt binjakëzimi kontribuon drejt një administrate profesionale dhe mirëfunksionuese dhe, nëpërmjet përfitimeve efikase, krijon hapësirë për investime të ardhshme në shërbimet publike në përfitim të qytetarëve shqiptarë.

Projekti prej 1.8 milion Euro do të zbatohet për një periudhë prej 2 vitesh nga Shkolla Kombëtare e Administratës (Francë) dhe Shkolla Kombëtare e Administratës (Itali).