“Administrata.al”, platforma inovative në menaxhimin e burimeve njerëzore, financuar nga Qeveria Zvicerane dhe implementuar nga Këshilli i Evropës, dëshmoi se ishte një mjet i domosdoshëm për administratën publike shqiptare gjatë periudhës së pandemisë.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, shpjegoi se si përdorimi i kësaj platforme ka lehtësuar ndërveprimin dhe komunikimin e informacionit në kohë reale edhe gjatë punës nga distanca.

Platforma, “administrata.al” është një burim i vetëm dhe i përqëndruar informacioni, që siguron shkëmbim praktikash dhe eksperiencash në funksion të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore për të gjitha nivelet e administratës.

Për më shumë kliko këtu.

Rregullorja e re e posaçme, kombinimi i punës në institucion dhe nga distanca

Për respektimin e kushteve të reja për ruajtjen e shëndetit dhe mbajtjes së distancës sociale në periudhën e pandemisë, punonjësit e administratës shtetërore do të kombinojnë punën në ambientet e institucionit dhe nga distanca.

Departamenti i Administratës Publike miratoi në muajin maj rregulloren tip e cila përcakton qartë mënyrën e organizimit të punës në distancë dhe nga zyra për punonjësit e administratës shtetërore. Më pas, rregullorja i'u dërgua institucioneve të administratës shtetërore me qëllim përshtatjen dhe unifikimin e saj në përputhje me specifikat e llojin e përgjegjësive.

Për rregulloren e plotë kliko këtu:

Kontrata e Reformës Sektoriale në Administratën Publike

Përfundon me sukses misioni i vlerësimit

Në 11 maj mbaroi me sukses misioni i vlerësimit për Kontratën e Reformës Sektoriale në Administratën Publike për vitin 2019.

Ekspertët e kontraktuar nga Bashkimi Evropian vlerësuan pozitivisht ecurinë e indikatorëve të shërbimit civil të cilët kanë përmbushur targetin për 2019.

Qëllimi i kësaj kontrate (mbështetje buxhetore e BE) është të ndihmojë qeverinë shqiptare në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të administratës publike, me fokus nevojat e qytetarëve dhe biznesit.

ReSPA pyetësor mbi vlerësimin e performancës së punonjësve të administratës publike në vendet e Ballkanit Perëndimor

Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), në bashkëpunim me SIGMA përgatitën gjatë muajit maj, një pyetësor për vlerësimin e performancës së punonjësve të administratës publike, në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky pyetësor i cili u asistua nga DAP për administratën shqiptare, po zhvillohet me të gjithë nëpunësit civilë të vendeve të rajonit, e ka për qëllim të mbledhë infomacione për procesin e vlerësimit të performancës, si dhe të japë rekomandimet për përmirësime të mëtejshme të këtij procesi kyç të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Të dhënat e tij do të përdoren nga ReSPA në bashkëpunim me SIGMA (Support for Improvement in Governance and Management) për përgatitjen e udhëzuesve për kryerjen e vlerësimit të performancës në mënyrë sa më objektive.

 Takimi i 6-të i Komitetit Drejtues, sfidat dhe ecuria e punës në kohë pandemie

Komiteti Drejtues i Projektit IPA 2014 zhvilloi online mbledhjen e tij të gjashtë.

DAP bashkë me ekspertët shqiptarë dhe të huaj, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe ministrive të linjës diskutuan në këtë mbledhje për sfidat e organizimit të punës nga distanca, hapat pozitivë dhe arritjet e deritanishme të projektit.

Në mbledhjen e zhvilluar më 8 maj, u vlerësua pozitivisht përkushtimi i të gjithë aktorëve të projektit, si dhe ecuria me ritme të shpejta të punës edhe pse në kohë pandemie.

Manuali i proceseve të punës

Edhe gjatë muajit maj, DAP së bashku me ministritë e linjës kanë vijuar punën për hartimin e "Manualit të proceseve të punës". 

Fokusi kryesor i këtij muaji ka qenë përgatitja e draftit të analizës së proceseve të punës për tre fusha: a) burimet njerëzore; b) integrimi, c) hartimi i legjislacionit dhe Vlerësimi i Ndikimit Rregullator (RIA).

Pas përgatitjes së draftit të parë nga ana e projektit, kjo analizë do t'i prezantohet Departamentit të Administratës Publike për diskutim dhe miratimi i tij do të realizohet në muajt në vijim.

Reforma e administratës Publike, 

zhvillohet online takimi i 9-të i Grupit të Posaçëm BE - Shqipëri

Në datë 23 qershor 2020 u zhvillua online takimi i 9-të i Grupit të Posaçëm të Reformës së Administratës Publike për Shqipërinë. 

Takimi i nivelit të lartë i cili bashkëdrejtohej nga zëvendëskryeministri, z. Erion Braçe, dhe Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje - Hercegovinën në Komisionin Evropian, znj. Michela Matuella kishte për qëllim diskutimin e zhvillimeve kryesore të reformës së administratës publike.

Drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, foli për ecurinë e reformës së shërbimit civil, përmbushjen e rekomandimeve të lëna në mbledhjen e fundit të Grupit të Posaçëm, por edhe për sfidat e hasura për shkak të situatës së jashtëzakonshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Sa i përket reformës së shërbimit civil, Komisioni Evropian vuri në dukje progresin në dixhitalizimin e sistemit të rekrutimit dhe zhvillimin e platformës së menaxhimit të burimeve njerëzore “administrata.al”.

Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike BE – Shqipëri, është forumi kryesor i dialogut politik ku institucionet e qeverisë shqiptare së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Evropian diskutojnë ecurinë e zbatimit të reformave të administratës publike, decentralizimit dhe menaxhimit të financave publike.

Zhvillimi i procedurave të rekrutimit në kushtet e pandemisë

Edhe përgjatë muajit qershor, Departamenti i Administratës Publike ka vijuar me zhvillimin e procedurave të rekrutimit online.

Ndërkohë, për një pjesë të vogël të procedurave, për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar dhe limiteve të mjeteve të teknologjisë së informacionit, DAP ka zhvilluar testimet në auditore, duke respektuar rigorozisht të gjitha rregullat dhe masat nga institucionet përkatëse për parandalimin e COVID-19.

Përgjatë këtij muaji, Departamenti ka zhvilluar 66 konkurse rekrutimi, si dhe ka trajnuar posaçërisht për procedurat e rekrutimit online 69 anëtarë të Komiteteve të Vlerësimit.

Falë programeve dhe mjeteve të teknologjisë së informacionit, puna ka vijuar normalisht për plotësimin e vendeve vakante, me qëllim përmbushjen e planit të rekrutimit të punonjësve të administratës shtetërore për vitin 2020.

Përditësimi i Regjistrit Qendror të Personelit, monitorohen 36 institucione të reja

gjatë qershorit

Me qëllim zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përmbajtjen, procedurën e administrimin e dosjeve të personelit e të Regjistrit Qendror të Personelit (HRMIS)”, DAP ka vijuar edhe gjatë muajit qershor monitorimin online të institucioneve për përditësimin e të dhënave personale të punonjësve në Regjistrin Qendror të Personelit.

Përgjatë këtij muaji janë monitoruar rreth 36 institucione të administratës shtetërore, përfshirë institucione qendrore dhe ato të varësisë, duke e çuar në 150 numrin total për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Regjistri Qendror i Personelit është një bazë unike të dhënash elektronike, në të cilën ruhet, përpunohet dhe menaxhohet kryesisht informacioni për burimet njerëzore aktive në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Projekti IPA 2014, vijon puna online, progres me aktivitetet kyçe

Pavarësisht kushteve të vështira për shkak të pandemisë, projekti IPA 2014 "Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike" ka vijuar punën normalisht.

Gjatë muajit qershor, progres është bërë lidhur me disa nga aktivitetet kyçe të planifikuara si: manuali i proceseve të punës, manuali i kodit të procedurave administrative, modeli i kostos etj. Komunikimi me grupet e punës ka vijuar sërish nëpërmjet platformave online, nga ku janë zhvilluar rreth 12 takime.

Tashmë, draft-manualet e sipërpëmendura janë drejt finalizimit nga ana e projektit, e më pas do t'i prezantohen Departamentit të Administratës Publike për diskutim si dhe miratimet e tyre do të realizohen në muajt në vijim.

Raporti vjetor 2019 për shërbimin civil, DAP raporton në Komisionin e Ligjeve

Në datën 21 korrik në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u zhvillua online diskutimi mbi raportin vjetor të DAP për vitin 2019. 

Në prezantimin e raportit vjetor, drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu theksoi disa nga arritjet më kryesore përgjatë 2019 si:

- Zbatimi i planit të aktiviteteve të SNRAP;

- Unifikimi dhe mbikqyrja e proceseve për përmirësimin e performancës së nëpunësve civilë;

- Përdorimi efikas i platformës “administrata.al”;

- Përmirësimi dhe harmonizimi i përshkrimeve të punës në institucionet qendrore etj.

Rëndësi të veçantë Znj. Koçiu i kushtoi edhe bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë, nismës së promovimit dhe punësimit të studentëve ekselentë në administratën publike, trajnimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, reformës funksionale të institucioneve të varësisë etj.

Për më shumë detaje mbi raportin kliko këtu