Në datat 20 – 21 shkurt, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, bashkë me Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike, znj. Enkela Dudushi, dhe delegacionin që e shoqëronte, zhvilloi një vizitë dyditore në Ljubjanë me Ministrin e Administratës Publike të Sllovenisë, z. Franc Props.

Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e rienergjizimit të administratës, fuqizimin e burimeve njerëzore ekzistuese, si dhe mbi domosdoshmërinë e vlerësimit të vazhdueshëm të performancës së punonjësve me kryefjalë meritokracinë.

“Modernizimi i administratës publike është jetik për shpejtimin e procesit të integrimit evropian. Sllovenia mbetet një vend partner prej praktikave të mira të të cilit në këtë fushë ne mund të mësojmë shumë”,- tha ministrja.

Si një mbështetëse e rrugëtimit integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, u shpreh znj. Pirdeni, Sllovenia vazhdon të ofrojë përkrahjen e saj në shumë drejtime, përfshirë shkëmbimin e eksperiencave për mirëfunksionimin dhe modernizimin e administratës publike shqiptare.