Në datat 22 - 23 nëntor, Departamenti i Administratës Publike bashkë me delegacionin nga Shqipëria, kryesuar nga Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali, morën pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Administratës Publike KosovaPAR2023, organizuar nga qeveria e Kosovës.

Në konferencë u diskutuan zhvillimet e perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në transformimin e administratave publike për t’iu përgjigjur në kohë sfidave të zhvillimit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Spiropali evidentoi hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për Reformën e Administratës Publike që është thelbësore në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, revolucionin digjital të shërbimeve që ka rritur qasjen e qytetarëve, duke ulur ndjeshëm kostot dhe korrupsionin, reformën e rëndësishme për rritjen e pagave në shërbimin civil, bërthamat e inovacionit dhe kuadrin e përgjithshëm legjislativ për një administratë sa fleksibël aq dhe të qëndrueshme.

Mbetemi të përkushtuar në ndërtimin e një administrate publike meritokratike, profesionale, që afron talente, siguron stabilitet, si dhe ofron shërbime efikase dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët e sipërmarrjet, - tha ministrja Spiropali.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se shpejtësia e integrimit evropian të një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian varet nga cilësia e Administratës Publike, prandaj dhe kjo reformë është prioriteti i qeverisë.

Konferenca KosovaPar2023, ku morën pjesë përfaqësues nga 20 shtete të botës u organizua në Prishtinë nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla.