Në kuadër të iniciativave dhe përpjekjeve për përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike, Departamenti i Administratës Publike, me mbështetjen e Këshillit të Evropës organizoi në datën 10 nëntor një tryezë konsultimi.

Kjo tryezë mblodhi bashkë përfaqësuesit e burimeve njerëzore në nivel qendror dhe lokal ku u diskutua mbi rëndësinë e një kuadri kompetencash të strukturuar, të qartë dhe të qëndrueshëm për shërbimin civil në të gjitha nivelet.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit u ndalën mbi dy elementë të rëndësishëm të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore:

-      Kuadri i Kompetencave

-      Menaxhimi i Performancës

Zhvillimi i një Kornize Kombëtare Kompetencash do të ndihmojë të gjitha proceset e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, nga rekrutimi, vlerësimi i nevojave për trajnim si dhe zhvillimi profesional. Gjatë takimit u theksua gjithashtu dhe rëndësia e rritjes së ndërgjegjësimit sa i takon Vlerësimit të Performancës së nëpunësve civilë.

Ekspertët e Këshillit të Evropës prezantuan modele pozitive nga shtetet anëtare për të drejtuar politikat dhe procesin e zhvillimit të një kuadri kombëtar kompetencash gjithëpërfshirës për të gjitha proceset e menaxhimit të burimeve njerëzore.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Mbështetja e Reformës së Administratës Publike në nivel vendor në Shqipëri”, financuar nga Qeveria Gjermane.