Në 27 qershor drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, mori pjesë në takimin e 11-të të nënkomitetit të Grupit të Posaçëm të Reformës së Administratës Publike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Takimi u drejtua nga znj. Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve dhe z. Alberto Cammarata, Zëvendës Drejtor i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian (DG Near).

Pjesëmarrësit diskutuan online mbi zhvillimet dhe sfidat kryesore që lidhen me zbatimin e reformës së administratës publike, duke përfshirë kuadrin strategjik, menaxhimin e shërbimeve publike dhe burimeve njerëzore, menaxhimin e financave publike, zhvillimin dhe koordinimin e politikave, llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve. 

Komisioni Evropian ndërkaq theksoi nevojën për të mbajtur një progres të qëndrueshëm në avancimin e reformave të BE-së. Ai nënvizoi se progresi në grupin themelor, përfshirë fushën e reformës së administratës publike, do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit.

Komisioni ka vlerësuar pozitivisht caktimin e një ministri të dedikuar, të mandatuar me koordinimin e agjendës së RAP. Komisioni rithekson nevojën për një udhëheqje të vazhdueshme politike për zbatimin e suksesshëm të nismave të RAP.