Në seancën dëgjimore të datës 24 maj, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, prezantoi raportin vjetor të veprimtarisë së DAP gjatë vitit 2022.

Koçiu informoi se, viti 2022 shënoi përfundimin e zbatimit të kornizës strategjike të reformës së administratës publike (2015-2022), një dokument që orienton punën e institucioneve, ndërkohë konfirmoi se aktualisht ka filluar puna për të shkruar strategjinë e re, e cila përfshin vitet 2023-2030, dokument i ri ambicioz, i cili do të hedhë piketat për reformimin e institucioneve të administratës edhe më tej.

Znj. Koçiu foli dhe për arritjen e rëndësishme të çeljes së negociatave, ku renditi prezantimet bilaterale të kryera në Bruksel për secilin nga parimet kryesore të administratës publike.

“Një element shumë i rëndësishëm është dhe niveli i rritjes së pagave, ku DAP ka kryer një analizë të sistemit të pagave, dhe së shpejti do të kemi përmirësime në legjislacionin e shërbimit civil përsa i përket strukturës së pagave”, tha drejtori i DAP.

Një nga përgjegjësitë e Departamentit të Administratës publike është dhe plotësimi i vendeve vakante në shërbimin civil, ku për vitin 2022, 98% e planit vjetor të pranimit është zbatuar. Për vitin 2022 ishin 1070 vende të evidentuara të lira, 576 procedura konkurrimi të zhvilluara dhe 830 pozicione të plotësuara.