Në datën 7 shkurt, Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në takimin informues për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, bashkë me ekspertë të SIGMA/OECD, zyrën e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, Ekipin Negociator si dhe Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë proces.

Gjatë këtij takimi u diskutua koordinimi mes institucioneve dhe planifikimi i qartë i detyrave dhe roleve të gjithsecilit, dy faktorët kyç në këtë hap të rëndësishëm dhe transformues për Shqipërinë.

Ekspertët prezantuan gjithashtu fazat e negociatave, pritshmëritë kryesore të Shqipërisë si dhe reformat gjithëpërfshirëse gjatë këtij procesi.

Për Departamentin e Administratës Publike, çelësi i suksesit në këtë proces sfidues është motivimi i profesionistëve dhe nëpunësve civilë, të cilët do të duhet të çojnë përpara procesin me vendosmëri, por edhe sakrificë në vitet në vazhdim.