Departamenti i Administratës Publike së bashku me Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët shpërndanë certifikatat për 457 të rinj të cilët ndoqën me sukses praktikën e punës pranë institucioneve të administratës publike, organizatave joqeveritare dhe shoqërive tregtare.

Në përfundim të fazës së fundit të Thirrjes VII të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, u punësuan 155 të rinj me kontratë 1-vjeçare pranë institucioneve pritëse.

Pjesëmarrësit gjatë 3 muajve të ndjekjes së kësaj praktike (12 shtator - 12 dhjetor), patën mundësi ndërveprimi me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqëritë tregtare.

Periudha tre – mujore e praktikës do të njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike, pasi përveç njohurive praktike dhe teorike, qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale.