Departamenti i Administratës Publike bashkë me ekipin e projektit IPA 2014 “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike” dhe Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil nisin në muajin qershor takimet rajonale, me njësitë e vetëqeverisjes vendore për prezantimin e manualëve dhe udhëzuesve. Takimet do të organizohen, me qëllim njohjen e këtyre materialeve që ka hartuar ekipi i projektit IPA, të cilat do t’ju vijnë në ndihmë punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Turi rajonal do të përfshijë 40 takime në qytetet: Tiranë, Kavajë, Durrës, Berat, Skrapar, Elbasan, Librazhd, Pukë, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Korçë, Pogradec, Kukës dhe Peshkopi.
Pjesëmarrësit në këto takime janë nivel drejtues dhe specialist, sekretarët/ administratorët e përgjithshëm, përgjegjës për menaxhimin e burimeve njerëzore apo çështjeve ligjore. Materialet e përgatitura nga ekipi që do të prezantohen gjatë turit rajonal janë:
- Manuali praktik për zbatimin e Kodit të Procedurave Administrative
- Manuali praktik për zbatimin e Legjislacionit në Shërbimin Civil
- Manuali për Vlerësimin e Performancës dhe Pozicioneve të Punës
- Udhëzuesi për strukturën organizative të pushtetit vendor
- Udhëzuesi për menaxhimin e BNJ, së bashku me pasaportën e indikatorëve dhe HRMIS