Me qëllim zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përmbajtjen, procedurën e administrimin e dosjeve të personelit e të Regjistrit Qendror të Personelit (HRMIS)”, DAP ka vijuar edhe gjatë muajit qershor monitorimin online të institucioneve për përditësimin e të dhënave personale të punonjësve në Regjistrin Qendror të Personelit.

Përgjatë këtij muaji janë monitoruar rreth 36 institucione të administratës shtetërore, përfshirë institucione qendrore dhe ato të varësisë, duke e çuar në 150 numrin total për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Regjistri Qendror i Personelit është një bazë unike të dhënash elektronike, në të cilën ruhet, përpunohet dhe menaxhohet kryesisht informacioni për burimet njerëzore aktive në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.