Sfidat dhe pasojat e situatës së COVID-19 në menaxhimin e burimeve njerëzore në administratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte qëllimi i takimit online që zhvilloi SIGMA në datën 28 prill.

Në këtë takim të rëndësishëm merrnin pjesë Drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, përfaqësues të delegacioneve europiane në rajon, si dhe përfaqësues të administratave respektive të rajonit. 

Drejtori i DAP ndau eksperiencën e zhvillimit të procedurave të rekrutimit edhe gjatë periudhës së pazakontë, ku shpjegoi mënyrën se si DAP po zhvillon konkurse online, që nga testimi me shkrim e deri tek intervista me gojë. Pjesëmarrësit në takim treguan interes për këtë eksperiencë të veçantë si dhe informacione më të detajuara mbi zhvillimin e këtyre procedurave.

Ndër çështjet më kryesore që u diskutuan ishin: problematikat e hasura me telekomunikacionin dhe zgjidhjet e  administratave publike të rajonit; ndikimi i masave parandaluese në sektorin publik; përgatitja për rikthimin në vendin e punës;  etj.

SIGMA - Support for Improvement in Governance and Management, është një nismë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Bashkimit Evropian që mbështet reformën në administratën publike.