Ekipi i projektit "Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike" përgatiti draftin e parë të një manuali, i cili synon të mbulojë tërësisht kuadrin ligjor dhe rregullator të shërbimit civil. 

Në manualin "Për Zbatimin e Ligjit të Shërbimit Civil" shpjegohen në mënyrë të detajuar të gjitha proceset e menaxhimit të burimeve njerëzore. 

Manuali do të shërbejë si një mjet mbështetës si për menaxherët ashtu edhe për njësitë e burimeve njerëzore të administratës publike. 

Drafti i është prezantuar tashmë Departamentit të Administratës Publike për diskutim dhe miratimi i tij do të realizohet në muajt në vijim.

562 PËRSHKRIME PUNE TË PËRFUNDUARA

Gjatë këtij muaji janë rishikuar 240 përshkrime pune, duke e çuar numrin total në 562 përshkrime për 11 sisteme ministrore. 

Ky proces përfshin analizën, përmirësimin dhe unifikimin e përshkrimeve të punës për pozicione të njëjta në të gjitha ministritë e linjës. 

Në vijim të përpjekjeve për të finalizuar këtë proces me sukses, DAP i ka kushtuar vëmendje të veçantë komunikimeve online mes ekspertëve dhe përfaqësuesve të ministrive.