Në datën 20 qershor, Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë të projektit të financuar nga fondet IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike” organizoi tryezën e parë të konsultimit për reformën e pagave në shërbimin civil.

Reformimi i sistemit aktual të pagave të nëpunësve publikë synon përcaktimin e rregullave dhe standardeve për krijimin e një sistemi të drejtë, që shpërblen nëpunësit në bazë të parimit “pagë të njëjtë, për punë të njëjtë”.

Ekspertët prezantuan draftin e parë të rekomandimeve, i cili përmban analizën e sistemit aktual të pagave, si dhe propozime lidhur me aplikimin e skemës së re të pagave. Në propozim përfshihen skema e pagave për nëpunësit civilë si dhe për punonjësit mbështetës.

Në aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të Kryeministrisë, ministrive të linjës dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.