Komisioni Evropian publikoi në 29 maj raportin vjetor për Shqipërinë. Në raport, KE vlerëson ecurinë e reformës në administratën publike duke theksuar se kjo reformë ka vijuar të ketë objektiv rritjen e profesionalizmit dhe transparencën në proceduarat e rekrutimit të punonjësve për shërbimin civil si dhe përmirësimin në ofrimin e shërbimeve publike. 

Ndër të tjera, në raport veçohet përpjekja për forcimin e politikëbërjes duke forcuar strukturat koordinuese dhe vendosjen e një kuadri rregullator për vlerësimin e këtyre politikave.

Komisioni Evropian në raportin vjetor për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë “në sajë të përparimit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar hovin aktual të reformave”. 

Kjo është hera e tretë që Komisioni Evropian i rekomandon Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian hapjen e negociatave me Shqipërinë. 

Gjetjet kryesore të Raportit 2019, përfshijnë: situatën politike; reformën zgjedhore; reformën në drejtësi; luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit; ekonominë; emigracionin; lirinë e shprehjes dhe pronës.