Në datën 10 prill 2019 u zhvillua takimi i 8-të i Grupit të Posaçëm për Reformën në Administratën Publike BE – Shqipëri. Në këtë takim të rëndësishëm të nivelit të lartë, drejtuar nga zëvendëskryeministri z. Erion Braçe dhe zëvendësdrejtori i njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, pranë Komisionit Europian, z. Georg Ziegler, morën pjesë ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, ministrat përgjegjës për fushat raportuese, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend, të institucioneve dhe agjencive të përfshira në këtë proces, përfaqësues nga shoqëria civile etj.

Ministrat e pranishëm si dhe titullarët e institucioneve folën mbi progresin e reformës në administratën publike, masat e marra nga institucionet shqiptare për përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Grupi i Posacëm, si dhe sfidat e ardhshme. 

Qeveria shqiptare vijon të ketë prioritet kyç thellimin e reformës në administratën publike dhe vëmendje të veçantë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike BE – Shqipëri, shërben si platforma kryesore për të çuar përpara punën në kuadër të Reformës në Administratën Publike, dhe ka për synim përfshirjen e kësaj reforme në procesin e zgjerimit.