Në datën 25 shtator në ambientet e Departamentit të Administratës Publike, në praninë e partnerëve ndërkombëtarë dhe zëvendësministrave, u prezantua nisma më e re e qeverisë shqiptare, programi “Administrata që duam”. Kjo nismë është një program masash dhe aktivitetesh konkrete për energjizimin e administratës, pasi synon rritjen e kapaciteteve, krijimin e një fryme të fortë ekipi për punonjës të motivuar dhe të angazhuar në punë.

Fokusi kryesor i këtij takimi ishte prezantimi i aktiviteteve që do të ndërmarrë administrate publike me qëllim orientimin e përpjekjeve të administratës publike drejt prioriteteve dhe vizionit qeverisës, rritjen e aftësive dhe kapaciteve profesionale të nëpunësve publikë, motivimin dhe angazhimin e tyre si dhe rritjen e ndërveprimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional.

Gjatë prezantimit, Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, i vlerësoi si shumë të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta të deritanishme që lidhen me Reformën në Administratën Publike, një nga pesë prioritetet kyçe të kërkuara për hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe pjesë e këtij takimi ishin mbështetësit kryesorë, roli dhe kontributi i të cilëve vlerësohet si element kyç në zbatimin e reformës.