Në një intervistë për emisionin “Pasdite në Top Channel”, drejtori i Departamentit të Administratës Publike znj. Albana Koçiu, bashkë me Drejtorin e Bashkëpunimit në delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, z. Mario Mariani, folën për rëndësinë e reformës në administratën publike. 

Pyetjes se çfarë është bërë deri tani për përmirësimin e shërbimeve publike, znj. Koçiu iu përgjigj se: "Administrata publike gjatë këtyre katër viteve të fundit ka patur mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Europian në procesin e transformimit sa i përket  performancës së punonjësve publikë dhe mënyrës se si ata ofrojnë shërbime tek qytetarët". 

Për znj. Koçiu, administrata duhet të jetë e formuar profesionalisht dhe e aftë për t'u përgjigjur në kohë, duhet të njohë mirë procedurat administrative e për këtë arsye vëmendje të vazhdueshme ka patur trajnimi dhe formimi profesional i punonjësve të administratës. 

Z. Mario Mariani theksoi rëndësinë e kësaj reforme, pasi kjo reformë do t’a përafrojë shtetin shqiptar me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian. 

“Qytetarët shqiptar meritojnë shërbime me cilësi të lartë dhe për këtë duhen vënë në zbatim politika të programeve të BE-së, siç i zbaton deri më tani çdo shtetas i Bashkimit Europian”,- tha ai. 

Z. Mariani foli për rrjetet e bashkëpunimit mes administratave të vendeve të Ballkanit, gjithashtu dhe për projektin e BE-së, për trajnimin e 15 nëpunësve civilë shqiptarë në Shkollën Kombëtare të Administratës në Francë.

Gjatë intervistës u fol dhe për procedurën e aplikimit online, për t’u bërë pjesë e shërbimit civil nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, për trajnimet që ofron Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) si dhe për projektet e financuara nga Bashkimi Europian, të cilat shërbejnë për të përfituar njohuri dhe eksperienca të reja pune në administratë.