Në kuadër të programit të shkëmbimit të eksperiencave me vendet e rajonit, mundësuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (RESPA), Departamenti i Administratës Publike, priti në datat 1 dhe 2 shkurt, një delegacion me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bosnje dhe Hercegovinës. Delegacioni shprehu interesin për sistemin online të rekrutimit që zbaton DAP, me qëllim aplikimin e tij në administratën e tyre.

Drejtori i Politikave dhe Zhvillimit në Fushën e Menaxhimit të Shërbimit Civil në DAP, znj. Kejsi Rizo, shpjegoi të gjithë hapat e ndjekur gjatë implementimit të sistemit të aplikimit dhe rekrutimit online.

Gjatë takimit, u diskutua dhe për kuadrin ligjor lidhur me rekrutimin online në shërbimin civil si dhe zhvillimin e software-ve të përdorur në këtë sistem.

Gjithashtu delegacioni u njoh më nga afër me sistemin HRMIS (Human Resources Management Information System), sistem i cili menaxhon informacionin e burimeve njerëzore.

Në ditën e dytë të takimit, fokusi i takimit ishte demostrimi live i sistemit të rekrutimit. Delegacioni nga Bosnja dhe Hercegovina, nëpërmjet pyetjeve të ndryshme tregoi interes lidhur me mekanizmat që përdor DAP në fazën e paraseleksionimit të kandidatëve, pozicioneve të ndryshme me kritere të veçanta, testimeve elektronike me shkrim etj.

Në fund të takimit delegacioni nga Bosnja dhe Hercegovina vlerësoi sistemin online të aplikimit dhe rekrutimit, duke shprehur nevojën për t´a aplikuar këtë sistem sa më shpejt në administratën e tyre.